Gjatë intervistave të shumta në emisione LIVE, dentisti i fëmijëve Xheladin Ujkani, përmes mesazheve ka tërhequr vëmendjen e prindërve për kujdesin ndaj dhëmbëve tek fëmijët. Në njërën prej këtyre mesazheve, ai ka shkruar:
“Pse jemi në gjendje t’i servisojmë veturat çdo tre-gjashtё muaj e nuk jemi nё gjendje t’i dёrgojmё fёmijёt në vizitё tek dentisti sё paku njё here nё vit?Pse i presim shqetёsimet, dhimbjet e infeksionet?”
Nëse një veturë e servisojmë brenda një viti së paku dy here dhe neve prindërve na kushton mbi 200 euro, kjo do të thotë se brenda 5 viteve shpenzojmë mbi 1000 euro vetëm për servisim. Pse atëhere e presim moshën 5 vjeçare të fëmijëve për vizitën e parë te dentisti, kur ajo vizitë kushton jo më shumë se 10 euro. Pse? KENI JU SI PRIND NJË PËRGJGJE?
Po ashtu, jemi dëshmitarë të shumë mbrëmjeve e dasmave gjatë sezonave verore. Nëse nanat, gratë, janë në gjndje të shpenzojnë qindra euro brenda dy -tre muajve për rregullimin e flokëve e të thonjëve, pse atëhere nuk jemi në gjendje t’i bëjmë një vizitë fëmijës te dentisti edhe nëse nuk ka ankesa, edhe nëse nuk ka dhimbje, edhe nëse nuk ka infeksione? Pse? KENI JU SI PRIND NJË PËRGJGJE?
Ju kujtojmë se, në Ditën ndërkombëtare të dentistëve, me datën 6 mars 2020, vetëm një javë para shfaqjes së rasteveka të para me COVID, Xheladin Ujkani, dentist dhe udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, ka publikuar raportin me të gjeturat rreth gjendjes së shëndetit oral tek fëmijët .
Fokusi i hulumtimit ka qenë vlerësimi i gjendjes së shëndetit oral tek fëmijët që kanë vizituar dentistin për herë të parë si dhe fëmijët e traumatizuar nga vizitat e mëhershme, Të gjeturat e raportit janë shqetësuese, për faktin se:
– Mosha pesë vjeçare është mosha mesatare e fëmijëve që kanë vizituar për herë të parë dentistin. Duke marrë parasysh se dhëmbët e qumështit kompletohen rreth moshës tre vjeçare, kjo do të duhej të ishte mosha më e përshtatshme për vizitën e parë te dentisti dhe kjo të ndodhë edhe në rastet kur të gjithë dhëmbët janë të shëndoshë.
– Mesatarja e dhëmbëve të prishur tek fëmijët që kanë vizituar dentistin për herë të parë është rreth 10 dhëmbë të prishur. Shumica e këtyre fëmijëve janë sjellur me dhimbje ose kanë përjetuar dhimbje të dhëmbëve në dy ditët e fundit ose më gjatë.