Edukimi më i mirë i fëmijëve për shëndetin e kujdesin ndaj dhëmbëve mund të bëhet përmes këngëve, poezive, tregimeve, shfaqjeve, vizatimeve, modeleve e maskotave.
Kënga “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, vazhdon të mbetet këngë shumë e dashur dhe e kërkuar nga fëmijët. Përmes kësaj kënge, prindërit shumë leht mund t’i edukojnë fëmijët e tyre për pastrimin e dhëmbëve në mëngjes, gjatë ditës sipas nevojës e në mbrëmje para gjumit, largimin nga ushqimet që përmbajnë shumë krip, sheqer e nga pijet e gazuara e t’i ushqejnë sa më shumë me ujë, produkte të qumështit, çaj kamomil, pemë e perime të freskëta, por edhe përgatitjen e fëmijëve me kohë edhe për vizitë tek dentistët dhe krijimin e raporteve miqësore në mes tyre.
Pjesa e tekstit në vazhdim : Edhe pse i vogël dukem, mos më injoroni, Me ëmbëlsira, çokollata, shpesh mos më mbuloni, Kur ju më lani mirë, oh sa më gëzoni, E kur qumësht pini shpesh, mua më forconi, Më forconi, zbukuroni, më të shëndoshë më bëni dhe pjesa tjetër : I bardhë si dëborë jam, furçën e pastën shokë i kam, Mëngjesin me ta e filloj, gjatë ditës prap i takojë, Por në mbrëmje nuk harroj, para gjumit i përqafoj, është marrë nga poezitë e shkruara nga Maliqe Mulolli Jahmurataj.
Ndërsa pjesa tjetër kushtuar dentistit : Mantel bardhë, mjek i mirë, i pret fëmijët musafirë, Te dentisti ata kur shkojnë, dhëmbët e tyre i shërojnë, Të kontrollon fare pa pritur, t’i shëron dhëmbët e prishur, Fjalë ëmbël, dorë lehtë, shëron dhëmbin me të shpejtë, Për fëmijët kurrë s’harron, dhuratë në fund u dhuron, është marrë nga poezitë e shkruara nga Abdurrahman Llumnica.
Kjo këngë e ideuar nga dentisti i fëmijëve Xheladin Ujkani, me tekst të dy mësimdhënësve, Maliqe Mulolli Jahmurataj e Abdurrahman Llumnica, e kënduar nga Pëllumb Hajdari, Lira Sejdiu, Edrin Gashi, Jona Llonçari, Aida Hanxhiu, Njomza Krasniqi, Sara Sopjani, Tuana Krasniqi, Arila Ibrahimi, Art Sadiku, me muzikë dhe realizim profesional nga Rona Nishliu e Samer Agolli, në njërën apo formën tjetër, ka depërtuar në shumë familje e në institucione parashkollore e fillore, duke arsyetuar kështu qëllimin për të cilin edhe është realizuar.